Një mësuese 56-vjeçare është arrestuar në Mitrovicë të Veriut nën dyshimet për sulm fizik ndaj një nxënësi gjatë orës së mësimit.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti është iniciuar më 12 qershor 2025, pasi një prind raportoi se më datë 6 qershor djali i tij, nxënës në një shkollë të Mitrovicës Veriore, ishte goditur me shuplakë nga mësuesja gjatë procesit mësimor.
“Është iniciuar rasti ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. E dyshuara M.P, 56 vjeç, është shoqëruar në stacionin policor ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ajo është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet kanë theksuar se do të vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve dhe do të zbatojnë ligjin pa përjashtim.
Hetimet për rastin janë në zhvillim.
