Prishtinë, 28 qershor 2025 – Ministrja në detyrë për Drejtësi, Albulena Haxhiu, ka dalë me një reagim të fortë kundër dhunës në familje, duke theksuar se ky akt është i papranueshëm dhe nuk ka asnjë justifikim.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo shkroi se dhuna në familje përbën jo vetëm një shkelje të rëndë ligjore, por edhe një goditje morale ndaj përpjekjeve për të ndërtuar një shoqëri të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët. Ministrja nënvizoi se dhuna nuk është çështje private, por është krim, dhe kur ushtrohet nga persona publik, përgjegjësia është edhe më e madhe.
“Asnjë pozicion publik, zë mediatik apo influencë nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj ligjit dhe llogaridhënies”, tha znj. Haxhiu.
Si koordinatore kundër dhunës në familje, ajo bëri thirrje që organet e drejtësisë të veprojnë me paanshmëri dhe në përputhje të plotë me ligjin, ndërsa ftoi mediat të trajtojnë këtë fenomen me seriozitet, paanshmëri dhe etikë profesionale.
Spekulime në rrjetet sociale për gazetarin Valon Syla
Ndërkohë, edhe pse ministrja Haxhiu nuk përmendi emra në postimin e saj, në rrjetet sociale po përhapen spekulime se deklarata i referohet gazetarit Valon Syla, i cili sipas disa burimeve është akuzuar për ushtrim të dhunës fizike dhe lëndime trupore.
Burimet janë jo zyrtare dhe deri tani nuk dihet nese është e vërtet apo jo,që gazetari Syla të jetë i përfshirë në këtë situatë.
Derisa këto akuza nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet kompetente, rrjetet sociale po shfaqin diskutime dhe komente të shumta që përmendin emrin e Sylës, duke e bërë situatën shumë të ndjeshme dhe të ndjekur nga opinioni publik.
Presion për hetim dhe transparencë
Në një kohë kur çështja e dhunës në familje është gjithnjë në fokus të institucioneve dhe shoqërisë civile, reagimi i ministres Haxhiu vjen si një mesazh i qartë se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin, pavarësisht statusit apo ndikimit publik.
Qytetarët dhe aktorët relevant presin që organet e drejtësisë të sqarojnë rastin dhe të veprojnë në mënyrë transparente, duke garantuar drejtësi.
