Ministri Sveçla reagon për vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan: Hetimet po zhvillohen me intensitet maksimal

Para 9 muaj

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e një 27-vjeçari në Lipjan, ngjarje që ndodhi në rrethana ende të paqarta.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla shprehu ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit dhe theksoi se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal nga Inspektorati Policor i Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë.

“Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar,” deklaroi ministri, duke shtuar se zbardhja e së vërtetës është prioritet dhe qytetarët do të informohen për të gjitha të gjeturat.

Ai tha se ruajtja e besimit publik ndaj Policisë së Kosovës është domosdoshmëri dhe se ky besim do të mbrohet përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë.

Rasti mbetet nën hetim dhe institucionet përkatëse janë të angazhuara për të sqaruar të gjitha rrethanat.