Ministri Maqedonci nderohet në “Hall of Fame” të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë Amerikane

Para 6 muaj

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, është nderuar me përfshirje në Sallën e Famës (Hall of Fame) të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (US Army War College), një nga nderimet më të larta për alumnët ndërkombëtarë të këtij institucioni prestigjioz.

Në ceremoninë solemne ishte i pranishëm edhe Gjenerali Randy A. George, Shef i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-ve.

Ministri Maqedonci e cilësoi këtë vlerësim si një nder jetësor, jo vetëm personal, por si pasqyrim i përkushtimit dhe bashkëpunimit me kolegët e tij gjatë karrierës ushtarake.

“Ky vlerësim nuk është vetëm një arritje personale, por një pasqyrim i përkushtimit, profesionalizmit dhe përpjekjes së përbashkët me të gjithë ata me të cilët kam pasur fatin të shërbej,” shkroi Maqedonci në një postim në Facebook.

Ai falënderoi kolegjin për ndikimin në formimin e tij profesional dhe personal, si dhe shprehu mirënjohje të veçantë për familjen, kolegët dhe mentorët që e kanë mbështetur përgjatë viteve.