Ministri Liburn Aliu jep dorëheqje pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar të Kuvendit

Para 8 muaj

Ministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij qeveritar.

Në një postim në Facebook, Aliu ka bërë të ditur se dorëheqja e tij vjen si reagim ndaj zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke theksuar se ky vendim nuk përputhet me idealet për të cilat ai është angazhuar në politikë.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorëzova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, ka shkruar ai.

Sipas tij, vendimi është marrë pas votimit të kryetarit të Kuvendit një ditë më parë, për të cilin ai shprehet se “nuk është në frymën dhe lartësinë e atij ideali për Republikën” që ka përfaqësuar angazhimin e tij politik.

Aliu ka konfirmuar se dorëheqjen e ka komunikuar paraprakisht me kryeministrin Albin Kurti, të cilit ia ka dorëzuar zyrtarisht letrën sot.

Dorëheqja e tij pritet të shkaktojë reagime të ndryshme brenda radhëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në spektrin më të gjerë politik.