Vetëm fjala gjenocid mund ta përshkruajë atë që po ndodh aktualisht në Gaza, tha të martën Ministri i Jashtëm belg Maxime Prevot.
“Nuk më takon mua si Ministër i Punëve të Jashtme të bëj vlerësime të tilla, por mendimi im personal është se kjo është shumë afër gjenocidit. Nuk e di se çfarë tmerresh të tjera duhet të ndodhin përpara se të përdoret kjo fjalë”, tha Prevot në një intervistë me revistën Humo.
I pyetur se si ndihej duke parë skenat e tmerrshme nga Gaza që vinin si pasojë e sulmeve të pakontrolluara izraelite ndaj enklavës së rrethuar palestineze, ai u përgjigj: “Këto skena më zemërojnë shumë. Që nga prilli kam thënë se bllokada humanitare është një turp absolut. Vënia qëllimisht e popullsisë në uri është një krim lufte.”
Duke folur për sanksionet e mundshme kundër Izraelit, Prevot theksoi se si qeveritë belge ashtu edhe ato evropiane duhet ta rrisin presionin.
“Unë mbështes sanksionet kundër udhëheqësve ushtarakë dhe politikë në të dyja anët, si dhe kundër kolonëve izraelitë që po i dëbojnë me forcë palestinezët nga shtëpitë e tyre në Bregun Perëndimor. Nuk mjafton më që qeveria belge thjesht ta dënojë situatën, nevojiten masa konkrete që do ta detyrojnë Izraelin ta ndryshojë sjelljen e tij”, tha ai.
Megjithatë, ai pranoi se jo të gjitha partitë në koalicionin belg ndajnë të njëjtin mendim.
“Gjithashtu, sanksionet evropiane kërkojnë pëlqimin unanim nga të gjitha shtetet anëtare, përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Hungarinë”, shtoi Prevot.
Ai shprehu gjithashtu shpresën se administrata e Donald Trumpit mund ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Izraelit.
Ushtria izraelite, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, ka ndërmarrë një ofensivë të pamëshirshme në Gaza që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë pothuajse 54.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Kriza humanitare në Gaza ka arritur nivele kritike, me shumicën e popullsisë që përballet me pasiguri të rëndë ushqimore.
Pas më shumë se dy muajsh bllokadë të vendosur në fillim të marsit, vetëm një numër i vogël konvoje me ndihma kanë arritur të hyjnë në Rripin e Gazës.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste në nëntor për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Izraeli përballet gjithashtu me akuza për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime kundër popullsisë civile.
Vendet perëndimore janë kritikuar për mungesën e veprimeve konkrete, edhe pse situata humanitare në Gaza po përkeqësohet çdo ditë. Kohët e fundit, disa udhëheqës kanë njoftuar sanksione të mundshme dhe një rishikim të marrëdhënieve me Izraelin nëse nuk ka përmirësim.
