Milaim Zeka ndodhej aty kur arrestuan Fatmir Shehollin për spiunazh: … veç piva kafe”

Para 6 muaj

Gazetari Milaim Zeka ka qenë dëshmitar okular në momentin kur Fatmir Sheholli u arrestua nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për spiunazh. Ngjarja ndodhi në një hotel në Prishtinë, ku Zeka kishte dalë për të pirë kafe.

Në një deklaratë për IndeksOnline, Zeka tha se arrestimi ishte i qetë dhe pa ndonjë incident.

“Unë kam dalë me pi kafe. Fatmiri u kanë qaty në hotel, unë me miq të mi. Erdhi Policia, iu drejtuan dhe i thanë: ‘Zotëri Sheholli, jeni i arrestuar për spiunazh’. Shumë janë sjell mirë, unë veç kam këqyr,” tha ai.

Zeka, megjithatë, u shpreh i shokuar nga fakti që ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, reagoi menjëherë pas arrestimit.

“Për mu, kjo është më shokuese se vet arrestimi. S’del kërkund ministri i Brendshëm me deklarata në raste të tilla. Kjo tregon se sa keq ka degradu shteti,” theksoi ai.

Aktualisht, bastisjet në banesën e Shehollit janë ende duke vazhduar, ndërsa hetimet për rastin janë zhvilluar për disa muaj nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me AKI-në dhe Policinë e Kosovës.