Rreth 10 mijë qytetarë shqiptarë janë mbledhur të dielën në afërsi të Gjykatës Speciale në Hagë, për të protestuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët janë nën gjykim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas organizatorëve, protestuesit kanë ardhur nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, diaspora europiane dhe Shtetet e Bashkuara. Ngjarja është zhvilluar në mënyrë të qetë, nën masa të shtuara sigurie.
“Mesazhi ynë është i qartë – kërkojmë drejtësi dhe trajtim të barabartë për të gjithë”, u shpreh Fatmir Koçi, përfaqësues i Këshillit të Protestës për Evropë, një nga organizatorët e tubimit.
Gjykata Speciale, e vendosur në Hagë dhe e themeluar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është duke shqyrtuar akuzat ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së për ngjarje të ndodhura gjatë dhe pas luftës në Kosovë (1998–1999).
Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe më parë, ndërsa procesi gjyqësor vijon të tërheqë vëmendje të madhe publike dhe politike në rajon.
