Një bager i kompanisë së kontraktuar për rrënimin dhe largimin e objekteve pa leje në Mitrovicë është djegur gjatë orëve të vona të natës. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili e ka dënuar ashpër aktin, duke e cilësuar si veprim kriminal dhe kërcënim ndaj rendit dhe qetësisë publike. Ai theksoi se lufta kundër paligjshmërisë dhe kriminalitetit nuk do të ndalet dhe u bëri thirrje organeve të rendit që të intensifikojnë veprimet për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit.
