Kancelari gjerman Friedrich Merz ka pranuar kritikat nga Shtetet e Bashkuara se Evropa ka vonuar në financimin e mbrojtjes së saj, por ka theksuar se tashmë situata ka ndryshuar. Në një intervistë për BBC, ai u shpreh se “ne e dimë që duhet të bëjmë më shumë dhe jemi duke bërë më shumë.”
Merz zbuloi gjithashtu se ka biseduar tre herë me Donald Trump dhe ruan komunikim të rregullt javor me ish-presidentin amerikan, duke koordinuar qëndrimet për luftën në Ukrainë dhe tarifat tregtare.
“Një çështje është lufta në Ukrainë, dhe e dyta janë debatet dhe tarifat tona tregtare”, deklaroi ai.
Kancelari gjerman vizitoi Kievin vetëm katër ditë pas marrjes së detyrës në maj, së bashku me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron, në një shenjë të qartë mbështetjeje për Ukrainën. Merz deklaroi se Rusia përbën një kërcënim për paqen dhe rendin politik në Evropë, jo vetëm për Ukrainën.
Pas kritikave të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, qeveria gjermane ka ndryshuar kushtetutën për të rritur ndjeshëm buxhetin e mbrojtjes.
“Ushtria jonë nuk është mjaftueshëm e fortë, ndaj po investojmë shumë,” tha Merz.
Gjermania, Britania dhe Franca po krijojnë një aleancë të re të quajtur “E3”, me fokus në sigurinë, politikën e jashtme dhe zhvillimin ekonomik. Presidenti francez Macron pritet të vizitojë Berlinin javën e ardhshme, ndërsa Merz theksoi marrëdhëniet e ngushta me partnerët evropianë.
Në kuadër të një traktati britaniko-gjerman, kancelari konfirmoi mbështetjen për ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën, përfshirë raketa me rreze veprimi deri në 2,000 kilometra.
