Në historinë e shkencës, emra si Ajnshtajni, Galilei apo Njutoni janë pjesë e pandashme e narrativës shkencore botërore. Por El-Biruni, një dijetar mysliman nga shekulli i 10-të, mbetet një nga figurat më madhështore, ndonëse shpesh i lënë në hije nga historiografia perëndimore.
I lindur në vitin 973 në Khwarezm (Uzbekistani i sotëm), Ebu Rejhan Muhamed ibn Ahmed El-Biruni ishte shkencëtar multidisiplinar: astronom, matematikan, filozof, mjek, historian, gjeograf, kimist, farmacist dhe përkthyes. Ai shkroi mbi 120 vepra shkencore, shumë prej të cilave kanë mbetur burime referimi edhe sot.
Zbulime që tejkaluan epokën e tij
El-Biruni është i pari që propozoi rrotullimin e Tokës rreth boshtit të saj, rreth 500 vjet para Kopernikut. Ai përllogariti perimetrin e Tokës me një saktësi prej 99.7%, duke përdorur metoda trigonometrike dhe vëzhgime nga dy qytete të ndryshme – një arritje mbresëlënëse, duke pasur parasysh mungesën e instrumenteve moderne.
Ai gjithashtu konsiderohet një nga themeltarët e shkencës së gjeodezisë – disiplina që merret me matjen e formës së Tokës dhe ndarjen e saj.
Çfarë thonë studiuesit perëndimorë për të
Studiuesi i njohur belg George Sarton, një nga figurat kryesore në historinë moderne të shkencës, ka deklaruar:
“El-Biruni është një nga madhështitë më të mëdha të Islamit dhe një ndër dijetarët më të mëdhenj të historisë botërore.”
Orientalisti gjerman Eduard Sachau, përkthyes i veprave të tij, shkruante:
“Ai është mendja më e madhe që ka njohur historia.”
Një trashëgimi që meriton njohje reale
Sot, El-Biruni shihet si simbol i kuriozitetit të pastër shkencor, një mendje që përqafoi dijen pa kufij fetarë, kulturorë apo ideologjikë. Ai ndërveproi me kulturat indiane, persiane dhe greke, përktheu vepra shkencore dhe filozofike dhe i analizoi ato në mënyrë kritike.
Në një botë ku informacioni është në duart e çdokujt, Gazeta Reale synon të rikthejë në vëmendje figura që kanë ndërtuar themelet e dijes njerëzore – dhe El-Biruni është një prej tyre.
