“Mendësi shpelle” dhe bllokada politike, Sibel Halimi i përgjigjet ashpër Albin Kurtit

Para 11 muaj

Prishtinë – Sibel Halimi, anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe drejtoreshë për Kulturë në Prishtinë, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës. Në një reagim të saj të publikuar përmes mediave, Halimi e cilëson deklaratën e Kurtit si një shprehje me “mendësi shpelle”, duke kritikuar bllokadat politike që po i ndalojnë projekte të rëndësishme në kryeqytet.

“Ky është realiteti që vazhdon të mbysë çdo ide, çdo iniciativë dhe çdo përpjekje për ta bërë kryeqytetin një vend më të jetueshëm dhe më dinjitoz,” tha Halimi. Ajo theksoi se në vend që të mbështetet puna dhe përkushtimi, ekziston vetëm cinizëm i paskrupullt dhe bllokada të vazhdueshme.

“Është e pabesueshme ku kemi përfunduar: pa Parlament, me institucione të paralizuara dhe me barriera të vendosura me qëllim, vetëm për ta mbajtur vendin peng të një mentaliteti të kalbur,” shtoi ajo.

Halimi përgëzoi punën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke e cilësuar si dikë që përpiqet të sjellë projekte dhe zgjidhje konkrete për qytetarët, megjithëse përballet me bllokada dhe ligësi të organizuar.

“Është koha që qytetarët të kuptojnë se përparimi nuk vjen vetë. Ai kërkon përgjegjësi nga secili, dhe të mos pranojmë më bllokimin si normalitet, duke mos e lënë kryeqytetin peng të atyre që vetëm dinë të shkatërrojnë,” përfundoi Halimi.