Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Keja Kallas, gjatë vizitës së saj në Kosovë.
Në këtë takim, Krasniqi e ka informuar Kallas për qëndrimin e PDK-së lidhur me zhvillimet politike në vend, duke theksuar se partia që ai udhëheq ka qenë dhe mbetet gjithmonë e gatshme të japë kontributin e saj në zgjidhjen e krizës aktuale politike.
“Sonte, pata kënaqësinë ta takoj znj. Kaja Kallas… Diskutuam për zhvillimet politike në vend dhe për nevojën për stabilitet institucional dhe përparim të Kosovës drejt integrimit evropian”, ka shkruar Krasniqi në rrjetet sociale.
Ai ka kërkuar nga Kallas edhe angazhim për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë si një hap konkret drejt rrugës evropiane të vendit dhe forcimit të marrëdhënieve Kosovë-BE.
Krasniqi theksoi se PDK mbetet e përkushtuar ndaj vlerave perëndimore, bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe përpjekjeve për avancimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
