Memli Krasniqi rizgjidhet kryetar i PDK: Partia sot është më e bashkuar se kurrë

Para 10 muaj

Pas rizgjedhjes si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi mbajti një konferencë për media ku u shpreh se këtë besim e merr me nder dhe përgjegjësi të lartë.

“Katër vjet më parë mora një detyrë të madhe, sot me këtë rizgjedhje e kthejmë atë në mision të përbashkët për të ardhmen”, tha ai.

Krasniqi theksoi se pavarësisht sfidave të katër viteve të fundit, partia ka ruajtur qëndrueshmërinë, dinjitetin dhe përkushtimin. Ai shtoi se PDK është më e qartë dhe më e përgatitur për sfidat që e presin.

Lidhur me Konventën e Përgjithshme të mbajtur sot, ai e cilësoi si dëshmi të unitetit dhe legjitimitetit brenda partisë: “Votimi unanim ishte më shumë se legjitimitet për mua. Ishte dëshmi e besimit të ndërsjellë”.