Memli Krasniqi për intervistën e Thaçit: Emocionuese, mesazhet e tij duhet t’i dëgjojë çdo politikan

Para 9 muaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar me emocion pas intervistës ekskluzive të ish-presidentit Hashim Thaçi në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, duke theksuar vlerën e mesazheve që Thaçi përcolli, pavarësisht ndarjes së tij fizike nga vendi për gati pesë vjet.

Krasniqi tha se e ka prekur thellë intervista, pasi shumë nga ato që Thaçi tha në publik, ai i ka dëgjuar edhe në takimet private me të në Hagë.

“Ka qenë emocionuese me i dëgju me zë të tjetër kujt fjalët e presidentit Thaçi. Shumë prej atyre fjalëve i kam dëgjuar në takimet dhe vizitat që i kemi me të në Hagë, por besoj që ajo që e ka veçuar në atë intervistë është fakti që edhe gati 5 vite pa qenë prezent fizikisht por duke u mbajtur në paraburgim, ai dha shumë dashuri për Kosovën dhe qytetarët”, u shpreh Krasniqi.

Ai shtoi se Thaçi, edhe nga distanca, ka dhënë këshilla të vlefshme për klasën politike, sidomos në raport me zhvillimet gjeopolitike aktuale.

“Pa e pasur involvimin direkt dhe me një distancë kohore në angazhimin publik, vërtetë pati shumë këshilla që secili politikan do të duhej t’i merrte parasysh, e sidomos sa i përket pozicionit të Kosovës në ndryshimet gjeopolitike që kanë ndodhur”, theksoi ai.

Në fund, kryetari i PDK-së shprehu shpresën që qytetarët e Kosovës ta kenë ndjekur intervistën dhe ta kenë vlerësuar, siç e quajti ai, “sinqeritetin e jashtëzakonshëm” të Thaçit.