Meloni dhe Mitsotakis nënshkruajnë marrëveshje strategjike për energjinë dhe transportin – mbështetje e përbashkët për Ballkanin Perëndimor

Para 0 vit

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, dhe Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kanë nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme që synojnë thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e energjisë dhe transportit hekurudhor.

Greqia do të investojë mbi 400 milionë euro në modernizimin e rrjetit të saj hekurudhor, ndërsa Italia do të kontribuojë me 360 milionë euro për blerjen e trenave të rinj dhe ndërtimin e stacioneve moderne. Në sektorin energjetik, të dy vendet u zotuan të trefishojnë kapacitetin e ndërlidhjes së energjisë elektrike, duke përforcuar sigurinë energjetike në rajon.

Mitsotakis e përshkroi Greqinë si një eksportues në rritje të energjisë në Evropë, ndërsa Meloni e cilësoi bashkëpunimin si një hap të rëndësishëm drejt një arkitekture më të qëndrueshme energjetike për rajonin.

Takimi ndërqeveritar u shoqërua edhe me diskutime për Ballkanin Perëndimor. Dy liderët konfirmuan mbështetjen e tyre për integrimin evropian të rajonit dhe ritheksuan angazhimin për të avancuar këtë proces në samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Tiranë.

“Italia dhe Greqia ndajnë vizionin e përbashkët për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian,” u theksua në deklaratën e përbashkët për shtyp.