Media që prodhon terr: pse zgjedhjet nuk sjellin ndryshim

Para 26 ditë

Shkruan:Artë Ramiqi

Nëse exit-pollet po paralajmërojnë mungesë ndryshimi edhe në këto zgjedhje, atëherë një pjesë e fajit nuk qëndron vetëm te politika, por te media që prej vitesh e ka mbyllur debatin publik në një rreth vicioz.

Ekranet televizive janë kthyer në strehë të përhershme të të njëjtëve “analistë” klanorë, figura të konsumuara që nuk analizojnë, por qarraviten. Ata nuk përfaqësojnë mendim kritik, por interesa; nuk sfidojnë pushtetin, por ushqehen prej tij. Diskursi që prodhojnë është i varfër, i parashikueshëm dhe thellësisht manipulues.

Qytetarët e kanë kuptuar këtë lojë. Kur shohin të njëjtët njerëz që sot kritikojnë lehtë e nesër rreshtohen pranë PDK-së, LDK-së apo AAK-së, ata nuk ndryshojnë mendje – ata humbin besimin. Dhe kur besimi humbet, vota ngrin. Për shumëkënd, të jetosh në terr pa rrymë është bërë më e durueshme sesa të përballesh çdo mbrëmje me hipokrizinë televizive.

Ironikisht, pikërisht kjo media ka ndihmuar, pa dashur, në konsolidimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Jo sepse debatet ishin të ndershme, por sepse banaliteti i tyre e lodhi publikun. Analistët që jetojnë nga pushtetet e vjetra e humbin energjinë sapo përballen me një qeveri që nuk i ushqen më.

Nëse sot nuk ka ndryshim politik, atëherë media duhet ta shohë veten në pasqyrë. Pa zëra të rinj, pa guxim dhe pa ndarje nga interesat klanore, ajo nuk është më roje e demokracisë – është pjesë e problemit.