Më vrau ai…” – Shqiptari 41-vjeçar telefonon gruan para se të vdesë dhe i tregon emrin e vrasësit

Para 11 muaj

Vrasje tronditëse në Greqi: Shqiptari 41-vjeçar gjendet i ekzekutuar në një vresht në Rafinë

Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur në zonën rurale të Rafinës, pranë Athinës, ku një burrë 41-vjeçar me origjinë shqiptare është gjetur i vrarë me armë zjarri në fytyrë, në një vresht.

Viktima, e identifikuar si Altin Arapaj, u gjet pas një operacioni kërkimi që zgjati rreth 18 orë nga autoritetet greke. Sipas burimeve policore, Arapaj kishte arritur të telefononte gruan e tij pak para se të ndërronte jetë, duke i dhënë emrin e autorit të dyshuar të vrasjes si dhe një përshkrim të përafërt të vendndodhjes së tij.

Pas telefonatës dramatike, forcat e tij fizike e tradhtuan dhe ai ndërroi jetë në vendngjarje. Gruaja e viktimës njoftoi menjëherë policinë, e cila nisi kërkimet në zonë. Fillimisht u gjet telefoni i përgjakur i 41-vjeçarit dhe më pas edhe trupi i tij pa jetë.

Altin Arapaj kishte precedentë penalë në Greqi dhe ishte i njohur për përfshirje në aktivitete kriminale, përfshirë çështje droge. Hetuesit dyshojnë se vrasja lidhet me një larje hesapesh, të motivuar nga konfliktet në botën e krimit.

Autori i dyshuar, i përmendur nga viktima në telefonatën e fundit, është gjithashtu shqiptar dhe i njohur për autoritetet greke për përfshirje në trafikun e drogës. Ai është shpallur në kërkim dhe policia ka rrethuar zonën e ngjarjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit vijojnë me intensitet.