Deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, Sala Jashari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka mbajtur një fjalim domethënës në sallën plenare, pas dështimit të seancës së 53-të konstituive.
Megjithëse e mandatuar për të qenë pjesë e udhëheqjes së Kuvendit, Jashari nuk ka shfrytëzuar deri më tani mundësinë për të qenë aktive në drejtimin e seancave, ndërsa kompetencat për menaxhimin e fjalës dhe renditjes së deputetëve i janë lënë Avni Deharit të Lëvizjes Vetëvendosje – si deputeti më i vjetër në sallë.
Kritika ndaj heshtjes së saj kanë qarkulluar në qarqet politike dhe mediatike, me zëra që thonë se ajo “ose nuk di, ose nuk do” ta marrë përgjegjësinë që i takon. Por këtë të enjte në Kuvend, ajo vendosi të thyejë heshtjen dhe t’i drejtohet publikut në një moment tensioni institucional.
“Ne, partitë tjera, vazhdojmë me këtë seancë protestuese. Më lejoni që sot, si deputetja më e re në Kuvend, ta shfrytëzoj të drejtën për të folur – jo në një mbledhje të zakonshme parlamentare, por si një thirrje publike për drejtësi dhe për një zgjim të thellë demokratik,” deklaroi ajo nga foltorja.
Fjalimi i saj erdhi pasi u shpall se seanca e 54-të do të mbahet po sot, në orën 22:00, në përpjekje për të zhbllokuar procesin e konstituimit të institucioneve.
Jashari, edhe pse e re në moshë dhe përvojë parlamentare, ka filluar të shihet si një zë potencial brenda PDK-së, sidomos nëse vazhdon të mbajë qëndrime të artikuluara në momente kyçe si ky. Avni Dehari, nga ana tjetër, si më i vjetri në sallë, vazhdon të drejtojë procesin në mungesë të një kryesie të konsoliduar.
Ky moment i fundit u pa nga analistët si një test për përfaqësuesit e rinj, të cilët pritet të dalin nga hija e figurave të konsoliduara dhe të marrin përgjegjësi në jetën parlamentare të vendit.
