Më 15 shtator nis paraqitja e provave nga Mbrojtja në gjykimin e Hashim Thaçit në Hagë

Para 7 muaj

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se më 15 shtator 2025, Mbrojtja në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe të bashkëakuzuarve do të fillojë paraqitjen e provave, duke e thirrur dëshmitarin e saj të parë.

Seanca pritet të jetë kryesisht publike dhe do të nisë në ora 09:00, ndërsa mund të ndiqet me 45 minuta vonesë në shqip, serbisht dhe anglisht përmes faqes zyrtare të DHSK-së.

Sipas raportimeve të mëhershme nga Klan Kosova, dëshmitarët që do të paraqiten nga pala mbrojtëse do të jenë të kufizuar në deklarimet e tyre, për shkak të autorizimeve të kufizuara të dhëna nga Qeveria e SHBA-së. Ata do të monitorohen gjatë dëshmisë për të siguruar që nuk zbulojnë informacione konfidenciale.

Avokati kryesor i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, ka konfirmuar për Klan Kosovën se:

“Përfaqësues të qeverisë së Shteteve të Bashkuara janë autorizuar të jenë të pranishëm gjatë dëshmive. Një aplikim zyrtar për këto masa do të dorëzohet sa më parë të jetë e mundur.”

Gjithashtu, Mbretëria e Bashkuar ka shprehur mbështetje për mbrojtjen e të akuzuarve, duke u përfshirë në këtë proces të ndjeshëm gjyqësor.

Për shkak të interesimit të madh publik, Dhomat e Specializuara kanë kërkuar regjistrim paraprak për të ndjekur seancën nga galeria për publikun në ambientet e gjykatës në Hagë.

Të interesuarit duhet të dërgojnë një email në adresën: [email protected], ndërsa konfirmimet do të dërgohen jo më vonë se 11 shtator 2025.

Organet mediale që dëshirojnë të marrin pjesë duhet të njoftojnë për rezervim në qendrën për media. Publiku gjithashtu është i lutur të respektojë rregullat e sjelljes të përcaktuara nga gjykata.

Aktakuza dhe çështja gjyqësore

Aktakuza fillestare kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020, ndërsa është ndryshuar disa herë, me versionin më të fundit të dorëzuar më 27 shkurt 2023 – që mbetet aktakuza në fuqi.