Më shumë se 60 organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë reaguar fuqishëm ndaj bllokimit të konstituimit të Kuvendit të Republikës, duke e cilësuar situatën si një krizë institucionale të papranueshme që po dëmton thellësisht sistemin demokratik të vendit.
Në një reagim të përbashkët, organizatat shprehen të shqetësuara për dështimin e vazhdueshëm të deputetëve për të funksionalizuar Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, si dhe për mungesën e vullnetit politik për dialog dhe zgjidhje të krizës.
“Kriza institucionale ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik e institucional të vendit”, thuhet në reagim. Organizatat theksojnë se mungesa e një Kuvendi funksional po pengon miratimin e ligjeve jetike dhe po rrezikon stabilitetin ekonomik dhe politik të Kosovës.
Ndër të tjera, theksohet se qeveria aktuale, të cilës i ka përfunduar mandati, po vepron pa mbikëqyrje parlamentare, çka përbën një situatë të rrezikshme për funksionimin demokratik të shtetit. Sipas tyre, bllokada ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke vonuar pranimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së dhe duke përkeqësuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Organizatat paralajmërojnë se kjo stagnim po minon besimin e qytetarëve në përfaqësimin demokratik dhe dërgon sinjale negative te partnerët ndërkombëtarë.
“Mosveprimi nuk është opsion. Çdo vonesë e mëtejme kërkon llogaridhënie publike. U bëjmë thirrje udhëheqësve të partive që të veprojnë menjëherë dhe të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut, në interes të qytetarëve dhe të vendit”, përfundon reagimi.
Shoqëria civile shprehet e gatshme të kontribuojë në rikthimin e funksionalitetit institucional dhe demokratik të Kosovës.
