Mbi 32 milionë euro të shpenzuara për mbrojtjen juridike të krerëve të UÇK-së në Hagë

Para 10 muaj

Prishtinë – Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se deri më 24 korrik 2025 janë shpenzuar gjithsej 32,944,287.77 euro për përkrahjen juridike të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas njoftimit zyrtar, këto pagesa janë realizuar në mënyrë të rregullt dhe transparente, në përputhje me obligimet ligjore dhe marrëveshjet për përkrahje të mbrojtjes juridike.

Vetëm për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë shpenzuar 5,353,301.02 euro.

“Pagesat do të vazhdojnë të realizohen në përputhje me dispozitat ligjore dhe marrëveshjet në fuqi,” – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë. Po ashtu theksohet përkushtimi për të garantuar një proces të drejtë dhe të balancuar, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme juridike, në përputhje me parimet e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

Procesi gjyqësor në Hagë

Në vitin 2020, Prokuroria e Specializuar ngriti aktakuzë ndaj disa prej figurave më të larta të UÇK-së:

  • Hashim Thaçi
  • Kadri Veseli
  • Jakup Krasniqi
  • Rexhep Selimi

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, duke mohuar çdo përfshirje në krime lufte dhe duke e konsideruar gjyqin si një proces politik dhe të njëanshëm. Sipas tyre, lufta e UÇK-së ishte një përpjekje legjitime për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb.

Gjykimi nisi më 3 prill 2023 dhe mbetet një nga proceset më komplekse të drejtësisë ndërkombëtare në lidhje me konfliktin në Kosovë. Ai përfshin qindra dëshmitarë dhe dokumente voluminoze, dhe sipas pritjeve, do të zgjasë edhe për disa muaj të tjerë.