MAShTI zyrtarizon datat për vitin e ri shkollor 2025/2026

Para 9 muaj

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se është miratuar Udhëzimi Administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2025/2026.

Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në profilin zyrtar në Facebook, ku Nagavci ka sqaruar se dokumenti tashmë është publikuar dhe do të hyjë në fuqi nga fillimi i vitit të ri shkollor.

“Është miratuar Udhëzimi Administrativ për kalendarin shkollor për vitin 2025/2026, i cili përcakton me përpikëri datat e fillimit e përfundimit të periudhave mësimore dhe pushimeve,” ka shkruar ministrja.

Sipas këtij udhëzimi, viti shkollor 2025/26 do të nisë më 1 shtator 2025 dhe do të përfundojë më 22 qershor 2026.

Datat kryesore të parashikuara në kalendar:

  • Pushimi vjeshtor: 29 – 31 tetor 2025
  • Pushimi dimëror: 26 dhjetor 2025 – 7 janar 2026
  • Pushimi pranveror: 7 – 10 prill 2026

Këto data vlejnë për të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar publik dhe privat në Kosovë, përfshirë shkollat fillore, të mesme dhe institucionet e arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë.

Konsultim publik për transparencë

Drafti i udhëzimit ishte publikuar paraprakisht në platformën zyrtare të konsultimeve publike nga data 14 korrik deri më 28 korrik 2025, duke u dhënë mundësi qytetarëve, prindërve, mësimdhënësve dhe organizatave të interesit të japin komente dhe sugjerime.

Ministrja Nagavci ka theksuar se përfshirja e komunitetit arsimor në përgatitjen e këtij kalendari është dëshmi e përkushtimit për bashkëpunim, transparencë dhe planifikim të mirëfilltë institucional.