Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se më 1 korrik 2025, ka dërguar në Drejtoritë Komunale të Arsimit katalogun e ri të teksteve shkollore për klasat 1-5, që do të përdoren në vitin shkollor 2025/2026.
Sipas njoftimit zyrtar, bashkë me katalogun janë shpërndarë edhe linqet e teksteve fituese nga shtëpitë botuese, në mënyrë që mësimdhënësit të kenë mundësinë t’i shqyrtojnë dhe të zgjedhin tekstet më të përshtatshme për klasat e tyre.
“Ky hap është ndërmarrë me qëllim të arritjes së rezultateve sa më të mira në procesin mësimor dhe përzgjedhjes së materialeve mësimore që përputhen më së miri me nevojat e nxënësve,” thuhet në njoftim.
MAShTI thekson se përzgjedhja e teksteve duhet të bëhet vetëm nga katalogu i aprovuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe se procesi është duke u monitoruar nga vetë ministria.
Afati i fundit për dorëzimin e zgjedhjes së teksteve nga mësimdhënësit është 15 korrik 2025.
“Presim nga mësimdhënësit që të vlerësojnë me kujdes dhe të përzgjedhin tekstet më të përshtatshme për nxënësit e tyre,” përfundon njoftimi.
