Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se nga sot ka nisur procesi i aplikimit për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore për nxënësit përmes platformës e-Kosova.
Për vitin shkollor 2025/2026, MASHTI do të ndajë mjete financiare për nxënësit si vijon:
- 80 € për nxënësit e klasës I-V, për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore;
- 80 € për nxënësit e klasës VI-IX, për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve të tjera, ndërsa tekstet shkollore do të përdoren nga gjenerata e kaluar, sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 13/2016.
Ministria ka bërë të ditur se procesi i aplikimit këtë vit do të jetë më i lehtë, pasi llogaritë bankare të prindërve janë aktive nga vitet e kaluara dhe nuk ka nevojë për regjistrim të ri. Mjetet do të transferohen në xhirollogaritë bankare të prindërve, njësoj si në dy vitet e fundit.
Drejtoritë Komunale të Arsimit janë të informuara dhe çdo aplikim do të verifikohet nga shkollat përpara ekzekutimit të pagesave.
“MASHTI uron një vit shkollor të mbarë e të suksesshëm për të gjithë nxënësit!”, thuhet në njoftimin zyrtar.
