Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka reaguar zyrtarisht pas raportimeve për emërimin e një drejtori të ri në Institutin Albanologjik, duke e cilësuar këtë proces si të pavlefshëm juridikisht dhe në kundërshtim me rregulloren në fuqi.
Sipas MAShTI-t, më 20 qershor është raportuar se Këshilli Drejtues i Institutit ka marrë vendim për emërimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit, megjithatë në atë mbledhje kanë qenë të pranishëm vetëm tre nga pesë anëtarë të Këshillit, ndërkohë që vendimmarrja kërkon kuorum prej katër anëtarësh.
“Çdo vendim i marrë në mungesë të kuorumit është juridikisht i pavlefshëm,” theksohet në deklaratën e Ministrisë, e cila e konsideron këtë veprim si të njëanshëm dhe të paligjshëm, duke shtuar se Instituti Albanologjik nuk mund të shndërrohet në platformë për interesa personale apo politike.
MAShTI thekson se procesi për zgjedhjen e drejtorit të rregullt është zvarritur për më shumë se një vit dhe konkursi ende nuk është shpallur, ndonëse kërkesa për shpallje të tij është bërë vazhdimisht nga përfaqësues të Ministrisë në Këshillin Drejtues.
Ministria ka paralajmëruar se përmes Zyrës Ligjore do të ndërmerren veprimet e nevojshme për kthimin e ligjshmërisë dhe për respektimin e rregullave ligjore dhe akademike.
MAShTI ka ftuar komunitetin akademik dhe publikun të jenë të bashkuar në ruajtjen e integritetit të institucioneve arsimore dhe shkencore në vend.
