Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës shkaktojnë pasoja të rënda financiare dhe zhvillimore

Para 11 muaj

Kosova po vazhdon të përballet me pasoja serioze financiare dhe zhvillimore si rezultat i masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të cilat janë vendosur që nga qershori i vitit 2023. Kështu thuhet në raportin më të ri të Institutit GAP, të titulluar “Ndikimi financiar i masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”.

Sipas raportit, rreth 613.4 milionë euro në projekte janë pezulluar ose shtyrë për një afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur përfundimisht për shkak të tejkalimit të afateve për fillimin e procedurave.

Masat ndëshkuese kanë prekur drejtpërdrejt marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, duke përfshirë:

  • Ndërprerjen e përkohshme të punës në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) deri në maj 2025,

  • Pezullimin e fondeve nga Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA),

  • Mos-shqyrtimin e propozimeve të Kosovës në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF),

  • Mospjesëmarrjen në ngjarje të nivelit të lartë (me përjashtim të atyre për situatën në veri dhe integrimin rajonal).

Sektorët më të goditur përfshijnë:

  • Mjedisi: 350.7 milionë euro,

  • Energjia: 114.4 milionë euro,

  • Digjitalizimi: 57 milionë euro,

  • Kultura: 15 milionë euro.

Nga totali i projekteve të ndikuara, 218 milionë euro ishin të mbështetura përmes IPA II dhe IPA III, ndërsa 395.5 milionë euro përmes WBIF. Financimi për këto projekte ishte parashikuar të bëhej përmes granteve dhe kredive: 421 milionë euro nga BE, 162 milionë euro nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe 31 milionë euro vetëfinancim.

GAP thekson se këto pezullime përkthehen në humbje të mundësive për rritje ekonomike, përmirësim të mirëqenies së qytetarëve dhe dëmtojnë perspektivën e integrimit evropian të Kosovës.

“Qëllimi i këtij raporti është të ofrojë një pasqyrë të mbështetjes financiare që Kosova ka marrë nga BE dhe të analizojë ndikimin e masave ndëshkuese, duke evidentuar humbjet dhe pasojat zhvillimore që kanë rezultuar nga pezullimi i projekteve dhe fondeve”, thuhet në raport.

Për heqjen e këtyre masave ndëshkuese nevojitet konsensus i plotë i shteteve anëtare të BE-së – një vendim që, deri më tani, ende nuk është arritur.