Mark Rutte takon Donald Trump në Uashington – “Babi” i NATO-s rikthehet në qendër të vëmendjes

Para 11 muaj

Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të takohet gjatë ditës së sotme me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, raporton BBC, përcjell klankosova.tv.

Ky është takimi i parë mes dy liderëve që nga samiti i NATO-s në Holandë, i zhvilluar muajin e kaluar, ku një deklaratë me shaka e Rutte-së mori vëmendje të madhe mediatike. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Rutte iu referua Trumpit si “babi”, duke bërë aluzion për rolin e tij në ndërmjetësimin e një armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit.

“Ndonjëherë babi duhet të përdorë gjuhë të ashpër,” – tha Rutte duke iu drejtuar Trumpit, i cili po fliste për tensionet në Lindjen e Mesme.

Kjo deklaratë u prit me humor në sallën e konferencës, dhe duket se Trump e ka përqafuar nofkën, pasi në platformën X (ish-Twitter), Shtëpia e Bardhë postoi një foto me mbishkrimin: “Shtëpia e babait”, në momentin që ai u rikthye nga samiti.

Megjithatë, në një prononcim për agjencinë Reuters, Rutte sqaroi se komenti i tij nuk kishte për qëllim ta quante Trumpin “baba” në kuptimin personal, por më tepër ishte një metaforë për rolin udhëheqës të SHBA-së brenda NATO-s.

“Në Evropë, ndonjëherë dëgjoj vende që thonë: ‘Hej, Mark, a do të qëndrojë SHBA me ne?’ Dhe thashë se kjo tingëllon pak si një fëmijë i vogël që e pyet të atin: ‘Hej, a do të qëndrosh ende me familjen?’” – u shpreh Rutte.

Takimi i sotëm pritet të fokusohet në forcimin e unitetit brenda NATO-s, financimin e aleancës dhe sfidat globale të sigurisë.