Mali i Moknës dhe Liqeni i Ujmanit shpallen asete nën mbrojtje të shtetit

Para 6 muaj

Kosova ka vënë nën mbrojtje shtetërore dy zona me rëndësi të madhe natyrore dhe kulturore – Mali i Moknës dhe Liqeni i Ujmanit – duke u bërë kështu shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MPHI), këto zona, me një sipërfaqe prej 192.19 km², do të përfshihen në plan për t’u shndërruar në parqe kombëtare, pas Bjeshkëve të Nemuna dhe parkut të Sharrit.

“Mali i Moknës dhe Liqeni i Ujmanit përbëjnë zona me vlera të larta kulturore, arkeologjike, gjeologjike dhe peizazhore që duhen mbrojtur”, tha Imer Fejza nga MPHI, duke theksuar se ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivave kombëtare e ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës.

Me këtë vendim, Kosova arrin 12.2% të territorit të saj në zona të mbrojtura, duke tejkaluar shumë shtete të rajonit.

Mali i Moknës, që shtrihet në rajonin e Dukagjinit si pjesë e Alpeve Shqiptare, dhe Liqeni i Ujmanit në veri të vendit, përveç vlerave natyrore, konsiderohen edhe asete të rëndësishme për trashëgiminë historike, identitetin kulturor dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Kosovë.