Malin e Zi po e trondit një valë e re dhune, e lidhur me përplasjet mes grupeve të organizuara kriminale. Brenda tri ditësh, nga 16 deri më 19 korrik, ndodhën dy vrasje në rrugë dhe në një kafene, si dhe një sulm fizik ndaj kryetarit të Komunës së Budvës, Nikolla Jovanoviq.
Presidenti i vendit, Jakov Millatoviq, thirri më 20 korrik një mbledhje urgjente të Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, duke paralajmëruar masa për t’i dhënë fund dhunës që, siç tha ai, po i tremb qytetarët.
Rritje e ndikimit të klaneve kriminale
Sipas Policisë së Malit të Zi, dy vrasjet në Podgoricë dhe sulmi ndaj kryetarit të komunës janë të lidhura me konfliktin shumëvjeçar midis klanëve kriminalë të Kavaçit dhe Shkalarit, që prej vitit 2014 kanë shkaktuar mbi 50 viktima.
Drejtori i Policisë, Llazar Shqepanoviq, tha se në vend veprojnë aktualisht 11 grupe të organizuara kriminale, me dy më të mëdhatë që përfshijnë mbi 300 anëtarë.
“Duke parë brutalitetin e këtyre akteve, është fat që nuk ka pasur viktima të rastësishme,” deklaroi ai, duke shtuar se mungesa e dënimeve dhe dobësia e politikës penale po ndikojnë drejtpërdrejt në përkeqësimin e sigurisë.
Seria e ngjarjeve: Nga Barcelona te Podgorica
Ngjarjet e fundit dyshohet se janë të lidhura me vrasjen në Barcelonë më 15 korrik të Fillip Knezheviq, një nga ekzekutorët e dyshuar të klanit të Kavaçit, i kërkuar nga Interpol-i. Vetëm një ditë më pas, më 16 korrik, në Stara Varosh të Podgoricës, u vra 29-vjeçari Igor Nedoviq, i njohur për lidhje me të njëjtin klan. Sulmuesi është ende në arrati.
Më 19 korrik, Ivan Millaçiq, 32 vjeç dhe i lidhur me klanin rival Shkalari, u vra në kafenenë “Taormina” në Podgoricë. Nga atentati mbeti i plagosur rëndë edhe një mik i tij dhe një kalimtare rasti.
Sulmi ndaj kryetarit të Komunës së Budvës
Një ditë më herët, më 18 korrik, kryetari i Komunës së Budvës, Nikolla Jovanoviq, u sulmua në një lokal në plazhin Sllovenska nga vëllezërit Mitroviq, përfshirë Vidak Mitroviqin, zyrtar i partisë në pushtet Demokracia e Re Serbe. Sipas Jovanoviqit, pas sulmit qëndron një grup i organizuar kriminal me lidhje politike, i cili përfshihet në dokumentet zyrtare të sigurisë si “grupi i Budvës”.
Vetëm një nga sulmuesit, Jovo Mitroviq, mbeti në paraburgim, ndërsa të tjerëve u është ndaluar të afrohen ndaj viktimës.
Institucionet në krizë: A është shteti më i dobët se krimi?
Presidenti i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë në Mal të Zi, Ivan Pekiq, ka ngritur alarmin mbi mungesën e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar:
“Dikush duhet të mbahet përgjegjës. Policia ose nuk ka fuqi, ose nuk ka vullnet, ose ndodhet nën presion politik. Grupi kriminal i Budvës ka lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin lokal dhe qendror,” tha ai.
Sipas Pekiqit, është e rrezikshme që në vend, tri grupe të reja kriminale janë formuar gjatë tri viteve të fundit, ndërkohë që përplasjet transnacionale mes klaneve vazhdojnë të shkaktojnë viktima jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në shtete të BE-së.
Reagimi politik dhe ndarja mes pushtetit dhe opozitës
Ngjarjet kanë shkaktuar edhe një përplasje të ashpër politike. Opozita ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Danillo Sharanoviq, dhe zëvendëskryeministrit për siguri, Alleksa Beçiq. Partia Demokratike e Socialistëve i ka akuzuar institucionet për “kaos të përgjithshëm dhe mungesë të integritetit profesional”.
Në anën tjetër, partitë në pushtet kanë akuzuar opozitën për lidhje me mafien gjatë qeverisjes së mëparshme.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa qytetarët kërkojnë siguri më të madhe dhe përgjegjësi konkrete nga institucionet. Malit të Zi i kërkohet jo vetëm t’i përgjigjet dhunës me masa të menjëhershme, por edhe të rimarrë kontrollin ndaj një realiteti që duket se po i shpëton nga duart.
