Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, Peja u shndërrua mbrëmë në një tempull të përjetshëm të muzikës shqipe, ku u jetësua një copëz nga thesari i pazëvendësueshëm i Nexhmije Pagarushës.
Mbrëmja e veçantë, me moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, solli përpara audiencës pejane artistë të njohur si Gala El Hadidi, Edona Reshitaj, Adhurim Grezda, A R B Ë R E S H Ë, të shoqëruar mjeshtërisht nga Gent Rushi Group, duke krijuar një atmosferë që tejkaloi kufijtë e kohës dhe gjuhës.
Për herë të parë, mezzosopranoja egjiptiane Gala El Hadidi interpretoi në gjuhën shqipe, duke i dhënë jetë disa prej kryeveprave të Nexhmije Pagarushës me ndjeshmëri dhe elegancë të rrallë.
Emocionet u shtuan me interpretimin e Edona Reshitajt, e cila së bashku me Gent Rushi Group solli tingujt e njohur të këngëve shqiptare me një stil autentik. Adhurim Grezda emocionoi publikun me nostalgji, përmes këngëve ikonike të Pagarushës. Ndërsa këngëtarja A R B Ë R E S H Ë i dha skenës një energji të re, duke ndërthurur elemente tradicionale me ato moderne në mënyrë dinamike dhe artistikisht të fuqishme.
Publiku në Pejë reagoi me duartrokitje të gjata dhe këngë njëzëri me artistët, duke dëshmuar lidhjen shpirtërore që muzika e Nexhmije Pagarushës vazhdon të krijojë brez pas brezi.
