Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përgëzuar kompaninë “Koshi Group” nga Prizreni për suksesin e saj të jashtëzakonshëm në industrinë e ndërtimit të mjeteve lundruese, duke theksuar se Kosova tashmë prodhon edhe anije që janë gati për tregun ndërkombëtar.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani ka vlerësuar këtë arritje si simbol të inovacionit dhe mjeshtërisë kosovare:
“A e keni ditur se në Kosovë prodhohen edhe anije? 🛥️
🇽🇰 Made in Kosova, gati për botën!
Një sukses i jashtëzakonshëm e inspirues nga Koshi Group në Prizren, një simbol i vërtetë i inovacionit dhe mjeshtërisë, krenarisht i bërë në Kosovë.
Nga veturat elitare sportive deri te barkat e jahtet më moderne, puna e tyre përfshin industri dhe kontinente të tëra.
Kur talenti kosovar bashkohet me punën e palodhshme dhe inovacionin, nuk ka kufi për atë që mund të arrihet.”
“Koshi Group” njihet për prodhimin e veturave sportive dhe mjeteve luksoze lundruese, duke e çuar përpara emrin e Kosovës në tregje të ndryshme botërore. Ky zhvillim vjen si një tjetër dëshmi e potencialit që vendi ka në sektorin e teknologjisë, inovacionit dhe prodhimit.
