Ma ndanë fëmijët padrejtësisht”: Nëna nga Prishtina akuzon sistemin e drejtësisë në Maqedoni

Para 1 vit

Arta Fonda, një nënë nga Prishtina, ka ngritur akuza të rënda ndaj sistemit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke deklaruar se para dy vitesh i janë marrë padrejtësisht dy fëmijët e saj të mitur, atëherë 2 dhe 4 vjeç.

Në një deklaratë të gjatë publike, Fonda shprehet se edhe pse ka dëshmuar në gjykatë për aftësitë e saj prindërore dhe përkushtimin ndaj fëmijëve, vendimi i gjykatës ka favorizuar interesa të fuqishme dhe jo drejtësinë. Ajo e konsideron këtë një formë të dhunës institucionale dhe shpërfillje të thellë ndaj rolit dhe të drejtave të nënës.

“Fëmijët e mi më janë marrë nga një sistem që shpesh vendos më shumë për interesa se për drejtësi. Një sistem që u jep ‘drejtësi’ oligarkëve të ndërtimit, në vend të nënave të pafajshme,” – shkruan ajo, duke përmendur me emër kompaninë e ndërtimit “Trim & Lum” si pjesë e ndikimit të padrejtë mbi institucionet.

Fonda apelon për ndërgjegjësim dhe mobilizim shoqëror ndaj rasteve të tilla, duke theksuar se rasti i saj është një simbol i një problemi më të gjerë që prekin shumë gra të tjera në rajon.

“Kjo nuk është vetëm beteja ime. Është një thirrje që të mos merren më fëmijët nga nënat pa të drejtë, nga korrupsioni dhe gjykimet e padrejta. Është një kauzë për drejtësi,” – përfundon ajo.

Apeli i saj po shpërndahet gjerësisht në rrjete sociale dhe ka ngjallur reagime të forta, ndërsa ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut lidhur me rastin.