Lutfi Haziri: U zgjodh kryeparlamentar bashkautor i një punimi kundër UÇK-së

Para 8 muaj

Deputeti dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër ndaj zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si të rëndë dhe të papranueshëm për shkak të së kaluarës së tij akademike.

Përmes një postimi në Facebook, Haziri kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, PDK-në dhe disa deputetë të grupeve të tjera, të cilët sipas tij, kanë votuar për një kandidat që është bashkautor i një punimi që përbalt Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“VV-ja, PDK-ja dhe deputetë të grupeve të tjera zgjodhën për kryetar Kuvendi bashkautorin e një punimi që ka përbaltur UÇK-në. Kjo është shumë e rëndë, me thënë të drejtën”, ka shkruar Haziri.

Ai gjithashtu kritikoi mënyrën e zgjedhjes, duke theksuar se propozimi për kryetar Kuvendi ka kaluar pa marrëveshje politike, vetëm me procedurë formale, si dhe e cilësoi si të gabuar mënyrën e votimit për nënkryetarin nga komunitetet pakicë.

“Fillim jo i mbarë nga z. Basha, duke vazhduar me shkelje kushtetuese tek ndarja e votimit për nënkryetar të komuniteteve pakicë”, shtoi ai.

Sipas Hazirit, ky zhvillim politik është tregues i mungesës së konsensusit dhe i kompromisit të dëmshëm në kurriz të vlerave të luftës çlirimtare.