Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Lushtaku e ka quajtur Kurtin “të lig dhe të paftyrë”, duke e akuzuar se po përpiqet t’i dëmtojë figurat e UÇK-së në një moment delikat të procesit gjyqësor ndaj tyre.
“Një i lig dhe i paftyrë mbrëmë kishte llomotitur në një studio televizive, duke përmendur emrat e heronjve Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. I frikësuar nga hija e tyre dhe në panik, po bën maksimumin për t’i dëmtuar ata në procesin delikat në të cilin ndodhen”, ka shkruar Lushtaku.
Deputeti i PDK-së e akuzoi Kurtin se po vepron në linjë me qëndrimet e Beogradit, pavarësisht se “flet shqip”.
“Albin ‘misionari’ flet shqip, por mendjen e ka të sinkronizuar me Beogradin kriminal”, përfundon reagimi i tij.
Reagimi vjen pas deklaratës së Kurtit në një emision televiziv, ku ai tha se Thaçi dhe Veseli vazhdojnë të japin “instruksione politike” nga Haga. Kjo ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe veçanërisht nga përfaqësues të PDK-së dhe OVL-UÇK-së, të cilët e konsiderojnë deklaratën e Kurtit si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme.
