Lubisha Milkoviq dënohet me 2 vjet burg për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

Para 6 muaj

Lubisha Milkoviq është dënuar me 2 vjet burg dhe një gjobë prej 14 mijë eurosh për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë ngjarjeve të dhunshme në Zveçan më 29 maj 2023. Vendimi u shpall pas marrëveshjes për pranimin e fajësisë mes Milkoviqit dhe Prokurorisë Speciale.

Për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, ai u dënua me 2 vjet burg, ndërsa për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, 6 muaj burg që u zëvendësuan me gjobën prej 14 mijë eurosh. Atij i vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërsa i konfiskohen mjetet që ka përdorur në kryerjen e veprave penale.

Sipas aktakuzës, Milkoviq ka marrë pjesë aktive në sulmet ndaj trupave të KFOR-it dhe policisë, duke përdorur mjete të forta, molotovë, gurë, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri, nga të cilat janë lënduar 30 pjesëtarë të KFOR-it, përfshirë tre me plagë nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale në automjete të KFOR-it, Policisë dhe mediave.

(Personi i përmendur prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.)