Sot, më 6 maj 2025, bëhen plot 28 vjet nga rënia heroike e Luan Haradinajt, një prej figurave më të shquara të rezistencës shqiptare dhe ndër të parët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili ra dëshmor në një përballje të ashpër me forcat serbe pushtuese në kufirin Kosovë–Shqipëri më 6 maj 1997.
Në këtë përvjetor, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar me nderim jetën dhe veprën e Luan Haradinajt, duke e cilësuar atë si një njeri të jashtëzakonshëm – guximtar, trim dhe i përkushtuar ndaj lirisë së atdheut.
“Guximtar dhe trim, ndonëse në një moshë të re. Student e luftëtar: jeta e tij ishte e ndarë mes zjarrit të dijes dhe zjarrit të luftës. Luani i mbronte shokët, e mbronte atdheun e luftonte për liri,” ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Ai theksoi gjithashtu se Luani, në moshën 23-vjeçare, u vra teksa kalonte kufirin e ish-Jugosllavisë që ndante shqiptarët, një rrugë që e përshkonte shpesh për shkak të studimeve dhe për të mbështetur aksionet guerile të UÇK-së, përmes bartjes së armatimit dhe logjistikës për luftëtarët.
“6 maji i vitit 1997 është përvjetori i rënies së tij dhe shënimi i humbjes së një atdhetari e patrioti të kombit. Lavdi veprës së Luan Haradinajt dhe të gjithë dëshmorëve të kombit,” përfundon Kurti.
Luan Haradinaj, vëllai i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, mbetet një simbol i përkushtimit të pakompromis ndaj çështjes kombëtare dhe lirisë së Kosovës. Ai është një ndër figurat që frymëzon brezat e rinj me guximin, sakrificën dhe vizionin për një atdhe të lirë e të bashkuar.
