Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka folur hapur për raportin e tij të tensionuar me bashkëpartiakun Sami Lushtaku, gjatë një interviste për emisionin “Weekend” në Klan Kosova, ku ka hapur edhe dyert e shtëpisë së tij për publikun.
I pyetur nëse Gani Geci – i njohur për përpjekjet e tij për të pajtuar figura të ndryshme politike – mund të luante rol ndërmjetësues mes tij dhe Lushtakut, Lladrovci ishte i prerë:
“Jo. Edhe me dasht m’u pajtu, pajtohem vetë. Nuk ka nevojë për zotin Geci dhe absolut ai në mesin tonë nuk ka mundësi me hy asnjëherë”, u shpreh shkurt kreu i Drenasit.
Megjithatë, ai nuk e përjashtoi mundësinë e pajtimit, duke përmendur se ka persona të tjerë që mund të ndikojnë në këtë drejtim – përfshirë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Përplasjet mes figurave të njohura të PDK-së kanë qenë të pranishme kohë pas kohe në opinionin publik, dhe deklaratat e fundit të Lladrovcit pritet të nxisin reagime të reja brenda skenës politike lokale.
