Drenas, 27 gusht 2025 – Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe deputetit Abelard Tahiri, lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale në këtë komunë.
Përmes një statusi në Facebook, Lladrovci i ka cilësuar komentet e dy zyrtarëve të lartë të PDK-së si “të padenja” dhe “për keqardhje”, duke i akuzuar ata për shpifje dhe nënçmim ndaj qytetarëve të Drenasit.
“Pas fyerjes me ‘Dadën Razë’ dhe votimin ‘38% symbyllur’ për qytetarët e Drenasit, tashmë, shpifjet po vazhdojnë në tjetër nivel”, shkroi ai.
Lladrovci ka paralajmëruar se më 12 tetor – dita kur pritet të mbahen zgjedhjet në Drenas – qytetarët do të japin një përgjigje të qartë.
“Më 12 tetor do ta shihni forcën e moralin e qytetarëve të Drenasit, të cilët nuk e durojnë as fyerjen, e as nënçmimin”, theksoi ai.
Ai gjithashtu ka mbrojtur performancën e komunës që e udhëheq, duke e cilësuar Drenasin si “kampion të performancës komunale” dhe “zemrën e Kosovës”.
“Vota e qytetarëve ‘Për Drenasin Kampion’ është votë për qeverisje të mirë, transparente e llogaridhënëse, votë kundër bedelëve e keqbërësve”, përfundon reagimin e tij Lladrovci.
