Deputetët e Listës Serbe janë paraqitur sot në Kuvendin e Kosovës për t’u regjistruar si pjesë e legjislaturës së nëntë, por pas përfundimit të procesit, janë larguar pa dhënë asnjë deklaratë për media lidhur me qëndrimin e tyre rreth votimit të kryetarit të Kuvendit, i cili pritet të zhvillohet nesër.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, është parë që në orët e para të mëngjesit teksa ka hyrë në ndërtesën e Kuvendit për t’u regjistruar. Megjithatë, ai dhe kolegët e tij nuk kanë dashur të komentojnë nëse do të marrin pjesë apo jo në votimin për konstituimin e organit më të lartë legjislativ të vendit.Sot, në kuadër të procesit të regjistrimit të deputetëve të rinj, në Kuvend pritet të paraqiten edhe përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismës dhe partive të komuniteteve jo-shumicë.
Regjistrimi i deputetëve ka filluar që javën e kaluar, kur janë paraqitur përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
