Liridon Masurica,rrezikon dënim prej 55 vitesh, u ekstradua për krime kibernetike në SHBA

Para 11 muaj

Liridon Masurica 33-vjeçari nga Gjilani i njohur në internet si  “@blackdb” është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si i dyshuar për mashtrim dhe vjedhje të identitetit të qytetarëve.

Masurica është administrator kryesor i BlackDB.cc- tregu kriminal online.

Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Gregory W. Kehoe, njofton se Masurica akuzohet për një akuzë të komplotit për të kryer mashtrime me pajisje të qasjes dhe pesë akuza për përdorim mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të qasjes të paautorizuara.

Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Shteteve të Bashkuara në Distriktin e Mesëm të Floridës, nëse dënohet për të gjitha akuzat, Masurica mund të përballet me një dënim maksimal prej 55 vitesh burgim.

“Masurica, shtetas dhe banues i Kosovës, është dërguar në paraburgim nga autoritetet në Kosovë më 12 dhjetor 2024 dhe është ekstraduar më 9 maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të marrëveshjes së ekstradimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se Masurica bëri paraqitjen e tij fillestare në gjykatën federale në Tampa më 12 maj 2025 para gjykatëses Lindsay Saxe Griffin dhe u urdhërua të ndalohet në pritje të gjyqit.