Para se të ulej në vendin e tij në fund të sallës së Kuvendit, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ndaloi te rreshti i parë, ku zhvilloi një bisedë të gjatë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Takimi mes dy liderëve nuk mbeti vetëm në sallë. Abdixhiku konfirmoi më pas se kanë caktuar një takim zyrtar për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit – jo për çështjen e bllokadës në Kuvend, por për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë.
Megjithatë, burime politike sugjerojnë se interesi i Limajt nuk ndalet vetëm te niveli lokal. Ai vazhdon të shfaqë ambicie për pozitën e kryetarit të Kuvendit, një rol që e ka përmendur disa herë në të kaluarën.
Një partneritet me Nismën në nivel qendror mund të jetë i pranueshëm për disa, por për Albulena Haxhiun e Lëvizjes Vetëvendosje, emri i Limajt nuk është në listën e preferencave për udhëheqës të Kuvendit. Haxhiu, e cila e aspiron vetë këtë pozitë, nuk arriti ta sigurojë as në tentimin e fundit, përmes një votimi të fshehtë që dështoi pas dështimit të formimit të komisionit.
Ndërkohë, qëndrimi i Ramush Haradinajt mbetet i paqartë. Kryetari i AAK-së nuk e ka konfirmuar ende nëse do ta përkrahte Limajn për kryetar Kuvendi, ndonëse ishin partnerë në zgjedhjet e fundit.
Në sfond, një takim mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së në oborrin e Kuvendit ngriti vetullat, por sipas pjesëmarrësve, ai nuk kishte të bënte me zhvillimet rreth përbërjes së Kuvendit.
