Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka zbuluar detaje nga bisedimet që kishte zhvilluar me kryeministrin në detyrë Albin Kurti përpara konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në një intervistë për emisionin Rubikon në Klan Kosova, Limaj tha se Kurti i kishte premtuar postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të tri votave të Nismës për formimin e qeverisë. “U dakorduam gojarisht dhe i cakërruam gotat. Ai do të shkonte të bisedonte me grupin parlamentar, ndërsa unë në mëngjes e njoftova kryesinë time,” tha Limaj.
Sipas tij, Kurti madje kishte shprehur gatishmëri të largonte Dimal Bashën nga posti i kryetarit të Kuvendit për ta bërë ministër, vetëm që të siguronte mbështetjen e Nismës. “Qesha, sepse këto nuk janë gjëra që bëhen në minuta të fundit. I thashë se për respekt erdha, por nuk mund të votoj në këto kushte,” shtoi ai.
Limaj tregoi se gjatë takimit i kishte kërkuar Kurtit shpjegime për numrat e munguar në votimin e qeverisë. “E pyeta ku i ke votat, se nuk po i shoh. Ai më tha ‘po pres me ba me juve’. I thashë që jo, jo në ditën e fundit. Nuk mund ta votoj këtë qeveri,” deklaroi ai, duke shtuar se takimi zgjati vetëm 10 minuta.
Megjithatë, Limaj tha se Kurti i kishte përfshirë në ekspozenë e tij dy kërkesat që ai kishte ngritur:
- Që veteranëve të UÇK-së të mos u merret paga e veteranit nëse punojnë në sektorin privat;
- Zgjidhja e çështjes së energjisë.
Limaj përsëriti se nuk synon të jetë pjesë e qeverisë, por mund të mbështesë bashkëpunimin institucional në Kuvend.
