Limaj kërkon dorëheqjen e Dimal Bashës: Punimi i tij bie ndesh me vlerat e UÇK-së

Para 6 muaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, për shkak të një punimi akademik që, sipas tij, cenon vlerat dhe historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I ftuar në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Limaj tha se një figurë që përfaqëson institucionin më të lartë legjislativ nuk mund të ketë të kaluar që bie ndesh me sakrificën e UÇK-së.

“Duhet të kthehet gjendja në normalitet, ose përmes dorëheqjes, ose përmes shkarkimit. Sepse, kurdo që të mblidhet Këshilli i Sigurimit, ky njeri do të përdoret në tavolinë,” u shpreh ai.

Limaj theksoi se nuk bëhet fjalë për ndonjë deklaratë të zakonshme, por për një punim shkencor të mirëfilltë, të cilin e konsideron të papranueshëm për një përfaqësues të lartë të shtetit.

“Ai zotëri duhet të dalë dhe të japë dorëheqje dhe të jetojë me gabimin e tij,” përfundoi Limaj.

Ky debat vjen në një periudhë të ndjeshme politike, ku roli dhe qëndrimet e përfaqësuesve institucionalë janë në vëzhgim të shtuar publik dhe diplomatik.