Ligjvënësit e Bashkimit Evropian kërkuan që Evropa “të dyfishojë përpjekjet” për të forcuar mbrojtjen e saj dhe për të mbështetur Ukrainën, teksa Shtetet e Bashkuara zhvilluan takim me Rusinë në përpjekje për të ndalur luftën.
“Evropa më nuk mund të varet plotësisht nga SHBA-ja për të mbrojtur vlerat dhe interesat tona të përbashkëta, përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, u tha në një deklaratë të Partisë Popullore Evropiane, Socialistëve dhe Demokratëve, Liberalët dhe Të Gjelbërve më 18 shkurt.
Ne duhet të përballemi me këtë realitet të ri dhe të dyfishojmë përpjekjet tona të përbashkëta evropiane në mbrojtje të Ukrainës dhe sigurisë evropiane në tërësi, duke krijuar një pengesë të fuqishme kundër çdo agresioni”.
Kjo thirrje për veprim vjen pasi zyrtarët amerikanë dhe rusë u takuan në Arabinë Saudite për të hapur rrugën për bisedime, që synojnë t’i japin fund luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës tre vjet më parë.Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se në bisedimet për përfundimin e luftës në shtetin e tij duhet të përfshihet edhe Ukraina dhe Evropa.
