Ligji i gabuar, dënimi i rëndë?” – Akuza për shkelje të të drejtave në Gjykatën Speciale të Hagës

Para 11 muaj

Njohësit e drejtësisë po e shohin me shqetësim trajtimin që Dhomat e Specializuara në Hagë po i bëjnë parimit “lex mitior” – një standard ndërkombëtar i së drejtës penale që kërkon zbatimin e ligjit më të favorshëm për të akuzuarin.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare shprehet se në rastin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, ky parim është anashkaluar. Ai argumenton se duhej të zbatohej Ligji Penal i RSFJ-së i vitit 1976, pasi ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale dhe parashihte dënime më të ulëta se ligjet e mëvonshme, përfshirë Ligjin e Dhomave të Specializuara.

“Në rastin e Mustafës është aplikuar kodi aktual penal, i cili është më i ashpër. Kjo përbën shkelje të nenit 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 12 të Ligjit për Dhomat e Specializuara,” theksoi Alija, duke e cilësuar këtë si një shkelje serioze të të drejtave themelore.

Nga ana tjetër, avokati Taulant Hodaj beson se kjo çështje do të marrë zgjidhje pas vendimit të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. “Kjo dhomë është autoriteti përfundimtar për interpretimin e legjislacionit që zbatohet në Gjykatën Speciale. Vendimi i saj për rastin Mustafa do të shërbejë si precedent për raste të tjera të ngjashme,” tha Hodaj.

Në një përgjigje për RTK-në, Dhomat e Specializuara sqaruan se marrin parasysh jo vetëm ligjin në fuqi në kohën e kryerjes së veprës, por edhe çdo ndryshim të mëvonshëm që mund të jetë më i favorshëm për të pandehurin. “Sipas ligjit, Dhomat mund të shqiptojnë burgim deri në përjetësi për krime lufte, por gjithmonë duke konsideruar nivelin e dënimit të parashikuar në ligjin e Kosovës në kohën e kryerjes së krimit dhe çdo zhvillim të mëvonshëm që sjell dënim më të lehtë,” thuhet në deklaratën e Speciales.

Debati mbetet i hapur, ndërsa pritet vendimi përfundimtar nga Kushtetuesja që mund të përcaktojë qartë linjën ndëshkimore në proceset e Speciales.