Liderët politikë do të takohen me Presidenten Osmani të enjten – në fokus bllokada për Kryetarin e Kuvendit

Para 11 muaj

Prishtinë – Të gjithë liderët e partive politike në Kosovë pritet të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani, i cili do të mbahet të enjten. Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnline këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina.

“Të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së enjtes me Presidenten Osmani,” tha Kupina, duke theksuar rëndësinë e këtij takimi në klimën aktuale politike.

Takimi vjen në një moment kritik për skenën politike në vend, pasi ende nuk është arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Kandidatura e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme, me partitë opozitare që e kanë refuzuar atë si figurë përçarëse dhe kanë kërkuar një emër alternativ nga Vetëvendosje.

Presidentja Osmani ka shprehur më herët gatishmërinë për të ndërmjetësuar mes palëve, duke ofruar një platformë dialogu për zgjidhjen e bllokadës institucionale. Takimi i së enjtes pritet të jetë një mundësi kyçe për tejkalimin e ngërçit dhe për hapjen e rrugës drejt funksionalizimit të plotë të institucioneve.