Liderë nga e gjithë Bashkimi Evropian dhe Ballkani po mblidhen të premten në Malin e Zi për të diskutuar zgjerimin e bllokut me përfshirjen e vendeve të rajonit, i cili shihet si një zonë kyçe për përballimin e sfidave të sigurisë dhe ekonomike që vijnë nga Rusia dhe Kina.
Samiti BE–Ballkani Perëndimor, që po mbahet në qytetin bregdetar të Adriatikut, Tivar, mbledh liderë evropianë, përfshirë Presidentin francez Emmanuel Macron, Kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe Kryeministren italiane Giorgia Meloni, si dhe drejtuesit e vendeve të tjera kandidate nga Ballkani dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Një nga temat kryesore të samitit do të jetë anëtarësimi i Malit të Zi në BE. Ky shtet i vogël malor, dikur pjesë e Jugosllavisë, shënoi muajin e kaluar 20-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga bashkimi me Serbinë fqinje.
Pas anëtarësimit në NATO në vitin 2017, vendi me rreth 623 mijë banorë synon të realizojë objektivin ambicioz për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028. Motoja “28 deri në 2028” madje është vendosur në një nga avionët e kompanisë kombëtare ajrore të Malit të Zi.
BE-ja tashmë ka krijuar një grup pune për hartimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi, një sinjal se anëtarësimi është i arritshëm. Mali i Zi konsiderohet kandidati më i përparuar krahasuar me vendet e tjera të rajonit: Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Të gjitha këto vende ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit, ndërsa BE-ja kohët e fundit ka kërkuar të inkurajojë reformat në vendet kandidate, mes shqetësimeve për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës.
Vendet kandidate duhet të harmonizojnë legjislacionin e tyre me BE-në në 35 fusha politike ose “kapituj”, që përfshijnë standardet e drejtësisë, bujqësinë dhe peshkimin. Të 27-ta vendet anëtare duhet të japin pëlqimin e tyre për hapjen dhe më pas për mbylljen e secilit kapitull.
Ndër vendet që synojnë t’i bashkohen BE-së janë edhe Ukraina dhe Moldavia. Ndërkohë, Islanda do të mbajë një referendum në muajin gusht për të vendosur nëse do të aplikojë për anëtarësim.
