Letonia konfirmon mbështetjen e fuqishme për Kosovën drejt BE-së: Vizita e Osmanit në Riga cilësohet historike

Para 9 muaj

Presidenti i Letonisë, Edgar Rinkēvičs, ka riafirmuar përkrahjen e qartë dhe të pakushtëzuar të shtetit të tij për integrimin evropian të Kosovës, gjatë një konference të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, e cila po qëndron për një vizitë zyrtare në Riga.

“Konfirmova mbështetjen tonë të pakursyer për Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian,” deklaroi Rinkēvičs, duke theksuar se Letonia dhe Kosova ndajnë vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion të ngjashëm për çështjet rajonale dhe globale.

Presidenti letonez kujtoi edhe vizitën e tij në Kosovë në muajin mars të këtij viti, ku kishte takuar ushtarët letonë të dislokuar në kuadër të KFOR-it, aktualisht rreth 140 trupa, si shenjë e angazhimit të vazhdueshëm të Letonisë për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ai cilësoi vizitën e Osmanit si “historike”, pasi është vizita e parë zyrtare e një presidenti të Kosovës në Letoni. “Ky fakt tregon për zhvillimin intensiv të marrëdhënieve tona politike dhe ekonomike”, shtoi ai.

Në anën tjetër, presidentja Vjosa Osmani vlerësoi përkrahjen e Letonisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe përpjekjet e saj në proceset euroatlantike. Vizita e saj në Letoni synon forcimin e bashkëpunimit bilateral, veçanërisht në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe digjitalizimit.

Ky takim përfaqëson një tjetër hap drejt thellimit të aleancave ndërkombëtare të Kosovës, në një kohë kur shteti po synon avancimin e agjendës së tij evropiane dhe forcimin e pozitës në arenën globale.