Ndërtimi i dy urave të reja në Mitrovicë po shihet si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të viteve të fundit, me ndikim të drejtpërdrejtë në qarkullim dhe lëvizjen e qytetarëve. Korrespodenti i “Ora Shtatë”, Urall Boshnjaku, thotë se njëra nga urat tashmë është hapur për qarkullim dhe ka sjellë lehtësim të ndjeshëm në trafik.
“Ndërtimi i dy urave është i nevojshëm, meqë njëra prej tyre është hapur për qarkullimin e makinave dhe me të vërtetë ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë jetën, në aspektin e trafikut”, u shpreh Boshnjaku.
Ura tjetër, e cila po ndërtohet pranë tre rrokaqiejve, konsiderohet po aq vitale për qytetin, pasi pritet të shërbejë për lëvizjen e këmbësorëve. Sipas Boshnjakut, një ditë më parë është kryer testimi i kapacitetit të saj përmes lëshimit të sasisë së shtuar të ujit, proces që tregoi se ura funksionon pa probleme.
“Është lëshuar një sasi më e madhe e ujit për të parë nëse ka ndonjë problem, dhe është vërejtur që gjithçka funksionon perfekt”, tha ai.
Lidhur me testimin e urës, peshkatarët e Mitrovicës kanë reaguar ashpër, duke thënë se lëshimi i ujit është bërë pa asnjë paralajmërim nga organet kompetente.
Sipas tyre, kjo ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekosistemin e lumit Ibër, përfshirë ngordhjen e rreth 20 tonëve peshq.
Peshkatarët e kanë cilësuar rastin si “shkatërrim të panevojshëm ekologjik” dhe kanë kërkuar hetim urgjent për të përcaktuar përgjegjësit.
Autoritetet kompetente nuk kanë dhënë ende një deklarim zyrtar lidhur me akuzat e peshkatarëve.
